Dëgjo versionin audio të këtij artikulli. (I gjeneruar nga AI).

Akademik Rexhep Qosja në një intervistë (1998) për Ukshin Hotin thotë: “Ukshin Hoti po bëhet ajo që ishte dhe është Adem Demaçi sot: simbol i martirizimit për lirinë e Kosovës, e kjo domethënë, simbol i qëndresës shqiptare.

Kur është burgosur Ukshin Hoti, para disa vjetësh, gazetat tona e kanë botuar lajmin me disa ditë vonesë. Mbasi që është burgosur Ukshin Hoti, edhe pse kuadër universitar, Universiteti ynë nuk e ka ngritur zërin kundër mbajtjes së tij në burg. Sot kanë ndryshuar punët. Sot Ukshin Hoti përmendet shpesh në shtypin tonë.

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës është mbajtur promovimi i librit të tij. Për të shkruhet gjithnjë e më shpesh. Diçka ka ndryshuar në shtypin tonë dhe në Universitetin tonë. Diçka po ndryshon në jetën tonë, në politikën tonë. Kemi filluar të vijmë në vete dhe këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj Ukshin Hotit.

Ne po jetojmë “të lirë” nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po bëjmë “të lirë” politikë, nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po stolisemi me stoli pushtetore -“president”, “deputet’, kryetar partie, e të tjera, nën pushtimin serb, e Ukshin Hoti po bën burg Serbie!

Ne për lirinë e Kosovës po “luftojmë”, duke marrë rroga, duke u vozitur me vetura luksoze, duke pritur e përcjellë mysafirë me dreka e darka zyrtare – si parardhësit tanë politikë komunistë, e Ukshin Hoti po dënohet me burgje, për shkak të përpjekjeve për lirinë e Kosovës!

Me mbajtjen në burg të Ukshin Hotit dhe të te burgosurve të tjerë politikë, regjimi serb dëshiron ta arrijë sot, atë që synonte ta arrinte me mbajtjen në burg të Adem Demaçit dhe të të burgosurve tjerë politikë!

Mbajtja e Ukshin Hotit dhe e bashkëmendimtarëve të tjerë në burgjet e Serbisë e rëndon shumë ndërgjegjen e njeriut tonë politik sot, dhe i qet hije të rëndë politikës që bëjnë bashkimet tona politike.

Deshëm s’deshëm ta pranojmë, Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot.

Dhe kjo tregon se populli ynë e çmon ashtu siç duhet njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare që e rrezaton sot emri i tij.


0 përshtypje te “Ukshin Hoti – është simbol i qëndresës së pamposhtur shqiptare”

Lëje përshtypjen tuaj për Ukshin Hotit

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e shënuara me * janë të detyrueshme.