Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, në parathënien e librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit shkruan:
“Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit. Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër. Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht…Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar. Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare… Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme. Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit intelektual.
Duke e lexuar këtë libër m’u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: “Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, – shton ai, – do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura.” 350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të histories… Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar.
Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro’amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë. Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme.
Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb handikapat, ose një manekin i skenës… Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës…Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.“
Lëje përshtypjen tuaj për Ukshin Hotit