Dëgjo versionin audio të këtij artikulli. (I gjeneruar nga AI).
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1996, për Ukshin Hotin thotë:
Emrin e Ukshin Hotit e kam ndeshur aty-këtu në shtypin e Kosovës, por përherë në mënyrë të paqartë. Edhe kur merret në mbrojtje, edhe kur kërkohet lirimi i tij, kjo bëhet në mënyrë disi të ftohtë, si për një hije. Së paku në atë lloj shtypi që unë kam pasur rastin të lexoj.
Duke e ndjerë veten fajtor për një mosnjohje më të saktë të këtij personaliteti të rëndësishëm të popullit shqiptar, e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e lartë profesionale.
Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burimi i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir.
Ka qenë tragjedi e vjetër e popujve ballkanikë, veçanërisht e shqiptarëve, përpjekja për të mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli apo shteti, njerëzit më të zotë.
Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, – thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjika e triumfit të mediokritetit, i ka shkaktuar, e, me sa duket do t’i shkaktojë ende dëme të ndjeshme çështjes shqiptare.
Ukshin Hoti duhet të dalë sa më parë nga burgu. Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull.
Më fort se kurrë kombi shqiptar ka nevoj për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.
Lëje përshtypjen tuaj për Ukshin Hotit