Dëgjo versionin audio të këtij artikulli. (I gjeneruar nga AI).

Shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, në një intervistë dhënë në Radio Televizionin Shqiptar, në mars 1998, për politologun e shquar Ukshin Hoti, ka deklaruar:

”Unë vë re një gjë, që për daljen e Ukshin Hotit nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë. Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë.

Ai vetëm me këtë libër (Filozofia politike e çështjes shqiptare” – vërejtja ime Sh.B) e ka treguar që është një filozof i vërtetë në problemet e politikës, por jo të një politike vulgare. Ai e shikon politikën në prizmin e filozofisë, dhe nxjerr konkluzione në bazë të fakteve konkrete dhe të historisë së popullit tonë. Ai nuk i trajton problemet historike dhe kombëtare thjesht në mënyrë deskriptive.

Duke lexuar librin e Ukshin Hotit ti ndjen një thellësi të madhe të mendimit të tij, por njëkohësisht ndjen edhe një krenari që ka njerëz të tillë të shquar vendi ynë në të gjitha fushat e jetës. Por këtu, në këtë fushë, dmth. të filozofisë politike, unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti.

Problemin e çështjes kombëtare ai e vështron në prizmin filozofik, në prizmin historik dhe në prizmin politik. Nuk thotë vetëm se si është Shqipëria, si është kjo çështja jonë kombëtare, por edhe se si mund të zgjidhet. Dhe kjo është nga meritat më të mëdha, sepse në shumë shkrime për problemet tona kombëtare tregohet vetëm se si ka qenë, sa i vjetër është populli ynë, me kë ka patur të bëjë, me përplasjet me fqinjët, me Evropën etj., por nuk jepen koordinata të sakta se ç’mund të bëhet që populli ynë të bëhet një popull i bashkuar, një komb jo i ndarë, jo i prerë me shpatë siç është sot Shqipëria.

Dhe këtu qëndron merita më e madhe e Ukshin Hotit, pra në faktin që jep perspektivën se si duhet bërë… me një fjalë, ky libër është një program, nuk është thjesht një libër për filozofinë politike, por është si një program për shqiptarët, se si duhet të bëhet Shqipëria një vend me të vërtetë i evropeizuar.

Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropeizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropeizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropeizohet kurrë. Kë do të evropeizosh ti, tre milionë banorë do të evropeizosh? Po tre milionë të tjerë?

Dmth. problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropeizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s’qe një nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem.

Pastaj dhe një tjetër gjë: unë mendoj që njeriu mund të nxjerr konkluzione jo vetëm nga libri që kemi këtu përpara, po dhe nga gjithë aktiviteti i Ukshin Hotit, se ai nuk është vetëm një filozof, politikan i kabineteve, i zyrave e i arkivave, por ai është një njeri i aksionit, një njeri i luftës për një ideal të madh. Se ka lloj lloj filozofësh, politikanësh, historianësh, edhe ata kanë të drejtën e ekzistencës dhe nuk mund të them se nuk janë të shquar, por tek Ukshin Hoti bashkohen dituria, zgjuarsia filozofike me aksionin, me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i madh, që i vë supet Shqipërisë.

Dhe fakti që gjëndet në burg, dhe ka kohë që vuan burgimin e nuk del dot nga burgu, tregon se sa patriot dhe se sa njeri i lavdishëm është ai. Po ne shqiptarët fatkeqësisht njerëzit e shquar i kemi pak mëri, nuk i kemi aq shumë në përkrahje, ndonjëherë duam dhe t’i spostojmë nga politika ose nga aktiviteti, siç është puna me Ukshin Hotin.

Unë nuk mund të flas me kompetencë të madhe lidhur me mënjanimin e tij, por unë vë re një gjë, që për daljen e tij nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë.“


0 përshtypje te “Unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti”

Lëje përshtypjen tuaj për Ukshin Hotit

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e shënuara me * janë të detyrueshme.